Të dhëna të reja për albanologun hungarez:
Franc Baron Nopça
dhe kontributi i tij në fushën e albanologjisë
Më datën 26 prill 1933 gazeta Neue Freie Presse e Vjenës botoi artikullin e mëposhtëm:
Drama e përgjakshme në rrugën Singer
Studiuesi si vrasës dhe vetëvrasës
"Siç u njoftua, Privatdocent (Baron) Dr. Franc Nopça, pesëdhjetepesë-vjeçar, vrau dje paradite sekretarin e tij afatgjatë, shqiptarin dyzetepesë-vjeçar Bajazid Elmas Doda, në banesën e tij në katin e tretë të shtëpisë së parë në rrugën Singer, numër 12, dhe pastaj vrau vetën para tavolinës së dhomës së punës me një të shtënë në gojë. Nga hulumtimi mjekësor zyrtar doli që sekretari kishte pësuar dy të shtëna gati në të njëjtin vend në tëmblën e majtë, të cilët e shpunë kafkën krejtësisht, kështu që fisheku, pas daljes nga koka, ngeli në jastëkun e karriges.
Duket se Nopça e kishte përgatitur veprimin paraprakisht. U gjetën shumë letra lamtumirës të mbyllura për farefisin dhe për miqtë e tij si dhe një testament të mbyllur për një avokat vjenez dhe shënime të tjera. Mendohet që një arsye e veprimit të ketë qenë gjendja e vështirë financiare e tij, me qenë se shërbëtorja tha që ajo nuk e kishte marrë rrogën që prej katër muajsh. Dihet gjithashtu që Franc Nopça, i cili donte më shumë se çdo gjë tjetër librat dhe koleksionet e tij, kishte menduar për të shitur bibliotekën e tij të madhe me shumë vepra unikale.
Një shkresë policisë: "Arsyeja e vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i hallakatur. Arsyeja që vrava mikun dhe sekretarin tim afatgjatë, Zotin Bajazid Elmas Doda, në tëmblën kur flinte gjumë, dhe pa dijeninë e tij, është që unë nuk doja ta braktisja të sëmurë, të shkretë dhe pa para në botë, duke qenë se ai do të kishte vuajtur shumë. Unë dëshiroj që trupi im të digjet."
Kështu mbaroi jeta e vrullshme e Baronit Franc Nopça nga Felshësilvashi (Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás, 1877-1933), një ndër studiuesve më të spikatur të kohës. Ai ka lindur në një familje aristokratike hungareze më 3 maj 1877 në çifligun familjar të Saçal-it, afër Haceg-it të Transilvanisë. Me rekomandimin e ungjit dhe kumbarit të tij, Franc von Nopça, kryemjeshtër i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta të Austrisë, Nopça ka mbaruar maturën në liceun vjenez Maria-Theresianum. Ngjarja vendimtare nga rinia e tij ndodhi në vitin 1895 gjatë një ekskursioni në Sentpeterfalva (Szentpéterfalva). Aty ai dhe motra e tij zbuluan mbeturinat e kockave fosile të një dinosauri, të cilat ai ia dërgoi Profesorit Eduard Sys (Edward Suess), një gjeologu dhe paleontologu vjenez. Nga viti i maturës, 1897, deri në vitin 1903, Nopça studioi pranë Sys-it në Universitetin e Vjenës, i cili në atë kohë u shqua për studimet paleontologjike.

Franc Baron Nopça
në veshje kombëtare shqiptare, afërsisht 1916

Pallati i derës Nopça
ne Saçal të Transilvanisë
Nopça shumë shpejt u bë vetë një studiues me nam në fushën e paleontologjisë. Më datën 21 qershor 1899, që në moshën njëzetedy, ai mbajti ligjëratën e parë në Akademinë e Shkencave në Vjenë me titullin Dinosaurierreste in Siebenbürgen (Mbeturina të dinosaurëve në Transylvani), e cila kishte një jehonë të madhe. Nopça shquhet si themeluesi i paleofiziologjisë, para se gjithash me studimet e tij të njohura edhe jashtë Austrisë për zvarraniq fosilikë. Veçanërisht e njohura ishin hipotezat të tij për 'running proavis', për gjakngrohtësinë e pterosaurëve dhe për rëndësinë e disa proceseve endokrine të cilat, sipas tij, kishin një ndikim të veçantë mbi evolucionin dhe mbi vdekjen e dinosaurëve. Nuk u pranuan të gjitha teoritë e tij pa kundërshtim, por ato frymëzuan shumë diskutimin në fushën e paleontologjisë. Po kaq i rëndësishëm ishte ndihmesa e Nopçës në fushën e gjeologjisë, për shembull mbi strukturat tektonike të malësive të Ballkanit perëndimor, ku ai mbrojti disa teori guximtare.
Në vitet e mëvonshme Nopça u bë i njohur gjithashtu si një ndër albanologët kryesorë të kohës së tij. Botimet e tij albanologjike nga vitet 1907 deri në 1932 u përqendruan kryesisht në fushat e mëposhtme: parahistoria dhe historia e lashtë, etnologjia, gjeografia, historia e re dhe e drejta zakonore shqiptare, d.m.th. kanuni. Librat e tij të hershme si Das katholische Nordalbanien (Shqipëria e Veriut katolike, Budapesht 1907), Aus Šala und Klementi (Nga Shala dhe Kelmendi, Sarajevë 1910) und Haus und Hausrat im katholischen Nordalbanien (Shtëpi dhe orendi në Shqipërinë e Veriut katolike, Sarajevë 1912) si dhe Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens (Ndihmesa për parahistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së Veriut, Sarajevë 1912) përmbajnë vëzhgime të shumta, me gjithë se materiali nuk është i sistematizuar mirë. Më vonë, kur nuk udhëtoi më në Ballkan dhe kur kishte qetësi më shumë, u botuan vepra më monumentale shkencore. Më të njohura ndër to janë: Bauten, Trachten und Geräte Nordalbaniens (Ndërtime, veshje dhe vegla të Shqipërisë së Veriut, Berlin & Lajpcig 1925) dhe para se gjithash, monografia themelore prej 620-faqesh Geologie und Geographie Nordalbaniens (Gjeologjia dhe Gjeografia e Shqipërisë së Veriut, Öhrlingen 1932), e cila shquhet si kryevepra e botimeve albanologjike që dolën gjatë jetës së tij.
Lista e botimeve të Nopçës përmban më shumë se 186 tituj, kryesisht nga fushat e paleontologjisë, të gjeologjisë dhe të albanologjisë. 54 botime janë për Shqipërinë.

Me vdekjen e parakohshme e Nopçës, shumë vepra të rëndësishme të tij ngelën të pabotuara. Trashëgimia shkencore nga fusha e paleontologjisë u dhurua Muzeut Britanik në Londër, kurse pjesa albanologjike u dha kolegut e tij, albanologut të njohur Profesor Norbert Jokl (1877-1942) në Vjenë. Në një letër me datën 24 prill 1933, d.m.th. në ditën e vdekjes, Nopça ia dha Joklit një listë dorëshkrimesh me kërkesë që ky i fundit të marrë kontakt me Paul Graf Teleki në Budapesht për të gjetur fonde për botimin e veprave të mbetura. Por fonde nuk u gjetën dhe pikërisht për këtë arsye, këto veprat e rëndësishme ngelën të pabotuara. Që prej vrasjes së Joklit në maj 1942, trashëgimia albanologjike e Nopçës ruhet në Koleksionin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë.

Nga trashëgimia e Nopçës duhet të përmenden në veçanti pesë dorëshkrime:
- Albanien: die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht (Shqipëria, fiset e malësisë ë Veriut dhe e drejta e tyre zakonore), Ser. nov. 9392, një vepër prej 510 faqesh, një pjesë e madhe e së cilës u botua koha e fundit nga Fatos Baxhaku dhe Karl Kaser në librin: Die Stammesgesellschaften Nordalbaniens, Berichte und Forschungen österreichischer Konsuln und Gelehrter, 1861-1917 (Shoqëria fisnore e Shqipërisë së Veriut, raporte dhe puna shkencore e konsujve dhe të shkencëtarëve austriakë, 1861-1917, Vjenë-Këln-Vajmar 1996);
- Religiöse Anschauungen, Sitten und Gebräuche (Besimi, doke dhe zakone), Ser. nov. 9393, një vepër prej 242 faqesh për etnologjinë shqiptare, nga e cila i mungojnë 58 faqet e para;
- Gedichte des Colez Marku, 1895-1932 (Poezia e Kolez Markut, 1895_1932), Ser. nov. 11912, një përmbledhje poetike gjermanisht në 110 faqe me 160 poezi jo shumë të mira;
- Dialektstudie, Fragment (Fragmenti i një studimi dialektologjik), Ser. nov. 11918, shënime për dialektin geg veriperëndimor në veri të Shkodrës në 36 faqe të formateve të ndryshme; dhe kryesorja;
- Kujtimet e Franc Nopçës me titullin Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Ser. nov. 9368, të cilat sapo u botuan në Prishtinë.
Monografia pesëvëllimshe Udhëtime në Ballkan, e cila shpeshherë gabimisht është quajtur ditari i Nopçës, ka 456 faqe të shkruara me makinë, duke përfshirë edhe disa të shkruara me dorë. Mendohet që Nopça kishte filluar të shkruante kujtimet e tij para mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Si burim kryesor ai përdorte defterët e tij të cilët ai mbante gjithmonë me vete gjatë udhëtimeve në Ballkan dhe të cilët mendohej që ishin të zhdukur. Shtatë defterë me shënime, skicë, llogari dhe fatura të ndryshme, nga të cilët gjashtë për Shqipërinë dhe një për Maqedoninë, gjinden në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës (DR2/3F deri 8F). I përkasin periudhat e mëposhtme: Vëll. 1 (1905), 430 f.; Vëll. 2 (1906), 580 f.; Vëll. 3 (1907), 474 f.; Vëll. 4 (1908), 316 f.; Vëll. 5 (1909), 686 f.; dhe Vëll. 6 (1913), 213 f. Këto vëllime në format oktav, si dhe vepra të tjera nga biblioteka personale e Nopçës, u shitën pas vdekjes së autorit nga antikuariati vjenez Kunst-Antiquariat Heinrich Hinterberger, në Hegelgasse 17, për 150 franga zvicerane dhe përfunduan në koleksionin e Mid'hat bej Frashërit (1880-1949), të njohur edhe si Lumo Skëndo, i cili kishte bibliotekën më të madhe private në Shqipëri, me afërsisht 20,000 vëllime. Duke qenë se Frashëri ishte një udhëheqës i lartë i lëvizjes antikomuniste Balli Kombëtar dhe u detyrua të braktiste Shqipërinë me ardhjen në pushtet të komunistëve, koleksioni i tij u konfiskua dhe përfundoi në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Kujtimet e Nopçës përfshijnë një periudhë njëzetvjeçare nga 1897 deri në vitin 1917 kur Nopça kishte dyzet vjet. Në një letër për Joklin me datën 8 tetor 1928, Nopça vuri re që kishte humbur defterin në vitin 1918, gjë që shpjegon ndërprerjen e kujtimeve në vitin 1917. Dorëshkrimi i kujtimeve e përfundoi afërsisht në vitin 1929 dhe kishte ndërmend ta botonte. Shtëpia botuese Stadium e Budapeshtit u tregua e gatshme të botonte një përkthim hungarisht të kujtimeve duke ngarkuar Kalman Lambreht-in (Kálmán Lambrecht), bibliotekarin e Institutit Mbretëror të Gjeologjisë në Budapesht, me punën e përkthimit dhe me përfshirjen e ndryshimeve të shumta që donte Nopça. Në fund, as përkthimi hungarisht, as origjinali gjermanisht nuk u botuan kurrë.
Në pjesën e parë të kujtimeve, Studien und erste Reisen 1897-1905 (Studime dhe udhëtime të para 1897-1905) e gjejmë baronin i ri për herë të parë në malësinë e Shqipërisë së Veriut, në një rajon të shkelur rrallë nga të huajt. Pas mbarimit të doktoraturës në Universitetin e Vjenës në verë të vitit 1903, Nopça ishte orvatur, pas një udhëtimi në Greqi, të udhëtonte nga Shkupi dhe Prizreni për në Shkodër për të takuar konsullin austriak, Baron Bornemisa Gjula (Bornemisza Gyula). Përvoja e parë e tij me Shqipërinë filloi në një mënyrë tepër shqiptare:
"Nga Shkupi vazhdova, siç thashë, për në Prizren. Aty më dhanë tre zaptije për të më shoqëruar gjatë udhëtimit për në Shkodër. Natën e parë e kalova në Hanin e Brutit dhe, kur u nisa gjatë agimit të ditës tjetër, dikush nga një pyll ma kapi me plumb në një kthesë të rrugës nga ana e djathtë. Fisheku shpuri kapelën time shumë afër kokës, por nuk u plagosa. Unë zbrita menjëherë nga kali, kërkova të mbulohem dhe doja të qëlloja edhe unë, por nuk e pashë njeri... Pjesa tjetër e udhëtimit nga Ura e Vezirit deri në Shkodër kaloi pa incident."
Me gjithë fillimin e vështirë, Nopça filloi gjatë udhëtimeve të mëvonshme të donte Shqipërinë dhe banorët e malësisë së saj. Ai jep përshkrimin e mëposhtëm nga ekspedita e parë e madhe në verë të vitit 1905:
"Më bëri shumë përshtypje një ngjarje në luginën e Cemit afër urës së Tamarës në tokën e Kelmendasve. Unë kërkova në një shtëpi pak ujë për të pirë, por në vend të ujit, zoti i shtëpisë, që nuk e njihja fare, më dha një tas me dhallë, të cilën e piva deri në fund. Pas pirjes, erdhi në shtëpi vëllai i zotit të shtëpisë, edhe ky i panjohur nga unë, dhe, duke qenë se ishte vonë dhe ai ishte i lodhur nga udhëtimi, ai donte të pinte dhallën. Natyrisht gjeti tasin e zbrazur, dhe kur zoti i shtëpisë i shpjegoi atij kush e kishte pirë dhallën, ai nuk u mërzit fare, siç mund të mendohet. Përkundrazi, ai tha që ishte fat që kisha ardhur unë në shtëpi para tij, sepse përndryshe familja e tij nuk do të kishte pasur çfarë t'i ofronte mikut dhe miku do të ishte i detyruar të vazhdonte rrugën i pangrënë."
Nopça ndodhej në Shqipërinë e Veriut në fillim të shekullit, jo vetëm për arsye personale apo shkencore. Ai ishte gjithashtu aktiv në fushën e politikës, shpeshherë në kundërshtim të hapur me punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë. Gjatë krizës së Aneksionit 1908-1909, Nopça mori pjesë në përgatitjen e ashtuquajturit Albanienaktion kundër Serbisë dhe Malit të Zi. Para dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912, ai ndërhyri shpeshherë në politikën e jashtme të Austrisë dhe mori pjesë si vullnetar në Luftën e Parë Botërore në Shqipëri. Në vitin 1916, Nopça ishte komandanti i një njësie ushtarake të vullnetarëve shqiptarë. Interesant në kujtime të tij është përshkrimi i gjatë i Kongresit të Triestit të vitit 1913 dhe i zgjedhjes së një princi evropian për Shqipërinë, për të cilën edhe ai u bë kandidat.
"Nga 27 shkurti deri më 6 mars unë mora pjesë në kongresin e shqiptarëve në Triest. Ky kongres ishte gjë e çuditshme. Në pranverë të vitit 1913 froni shqiptar ishte bosh dhe punët shqiptare u drejtuan nga Ismail Qemali, i cili kishte takuar Berhtold-in (Berchtold), ministrin austriak të punëve të jashtme, në Budapesht dhe pastaj me kërkesë të Berhtold-it udhëtoi për në Vlorë ku themeloi qeverinë e përkohshme e Shqipërisë së sapokrijuar. Por si mik shumëvjeçar i Greqisë, bile edhe si agjent i paguar nga grekët, ai kishte premtuar që të lehtësonte pushtimin e Janinës, në rast se ngelej në pushtet në Shqipëri. Ishte edhe e qartë që Ismail Qemali donte të rrinte shefi i qeverisë se përkohshme, sepse një gjë e tillë, kuptohet, ishte me fitim financiar...
Pas pritjes së përshëndetjes u zgjodhën ditën tjetër Markezi Kastriota si kryetar nderi dhe Faik bej Konica si kryetar kongresi. Në kryesi u pranuan gjithashtu Hilë Mosi, Fazil Toptani dhe Dervish Hima. Unë u përshëndeta gjatë hapjes solemne nga Faiku si mik i madh i shqiptarëve. Mendova gjatë disa minutave për një përgjigje, u ngrita në podium dhe atëherë e mbajta një fjalim në gjuhën shqipe. Me përjashtim të konsullit të përgjithshëm Kral dhe të disa konsujve të tjerë austriakë dhe italianë, besoj se asnjë evropian tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Përveç konflikti me vllehërit dhe një shkëmbim fjalësh midis kryetarit Faik bej Konica, dhe mashtruesit Nikollë Ivanaj, vetëm për të tërhequr vëmendje mbi këtë të fundit, kishte vetëm fjalë kot në kongres, kështu që në darkë të ditës së fundit, thirra Faik bej Konicën dhe i thashë atij që kongresi nuk kishte bërë asnjë punë. Gjëja minimale që mund të pritej nga një kongres politik ishte një rezolutë. Faiku ishte dakord me mua dhe unë ia diktova rezolutën. Pas një gjysmë ore ishim gati dhe ditën tjetër Faiku ia paraqiti rezolutën kongresit. Pas një debati, prapë për gjendjen e vllehërve dhe për të ardhmen e Shqipërisë, rezoluta u pranua, dhe fjalët e mia u transmetuan fuqive të mëdha."
Më vonë, Nopça u propozua kandidat për post të mbretit të Shqipërisë duke qenë se kishte njohuri të thella dhe mjaft mbështetje në Veri. Por pastaj ai tërhoqi kandidaturën, siç thotë, nga inati për coptimin e Shqipërisë. Sipas Nopçës, krijimi i shtetit shqiptar siç doli nga Konferenca e Londrës ishte lindja e një foshnjeje pa jetë. Kështu përfundoi angazhimi politik i tij për Shqipërinë.
Pas Luftës së Parë Botërore, Nopça jetoi në Budapesht dhe pastaj në Vjenë ku është marrë kryesisht me punën shkencore, ndër të tjera edhe me veprat themelore të albanologjisë. Kujtimet e Baron Nopçës të cilat sapo u botuan, besoj se do të hedhin shumë dritë jo vetëm mbi jetën e tij, por edhe mbi Shqipërine e Veriut në fillim të shekullit njëzet.
Robert Elsie