Robert Elsie | AL Art | AL History | AL Language | AL Literature | AL Photography | Contact |

Robert Elsie

Fotografia e hershme në Shqipëri

 
BACK  |  AL Photography
Webdesign J. Groß

Koleksioni i Fotografive të Bajazid Dodës
English | Deutsch

Maqedoni 1907

Bajazid Elmaz Doda është lindur rreth vitit 1888 në fshatin malor Shtirovicë të Rekës së Epërme (Maqedoni) ku edhe ka kaluar fëmijërinë. Si shumë djem të Rekës edhe ai mori rrugën e mërgimit dhe shkoi në Rumani për të punuar. Më 20 nëntor 1906, në Bukuresht, ai takon albanologun, baron Franc Nopça (1877-1933), i cili tetëmbëdhjetëvjeçarin e pranon në punë si shërbëtor.

Nga marrëdhënia e punës lindi një dashuri dhe një bashkëjetesë e lumtur dhe shumëvjeçare. Në kujtimet e jetës së tij botuar më 2001 me titullin Reisen in den Balkan (Udhëtime nëpër Ballkan), Nopça ka përshkruar me pak fjalë takimin e parë me të dashurin e tij, i cili gjithkund figuronte si sekretar i tij privat:

"Më 20 nëntor 1906, në Bukuresht, jam njoftuar me Bajazid Dodën. Që nga ajo kohë Bajazidi ka qëndruar pranë meje dhe që nga vdekja e Luis Drashkoviqit ai ka mbetur i vetmi njeri, që më donte me të vërtetë, dhe në të cilin unë pata besim të plotë në të gjitha gjërat, pa më shkuar kurrë mendja në ndonjë dyshim se ai do të mund të keqpërdorte besimin tim. Edhe ai kishte gabime, por duke parë gjithë të mirat e tij, kam injoruar ato. Nga urrejtja kundër çdo gjëje austro-hungareze, dhe ngaqë unë isha angazhuar posaçërisht për Shqipërinë, nga urrejtja ndaj meje, serbët vranë në Shtirovicë babain dhe vëllanë e Bajazidit më 1913."

Doda NB9020 60 B
Maqedoni. Pamja e Shtirovicës. Doda NB9020 61 B 
Maqedoni. Një burrë duke pirë duhan, në Rekën e Epërme pranë Dibrës. Doda NB9020 62 B
Maqedoni. Shqiptar në Rekën e Epërme pranë Dibrës. Doda NB9020 63 B
Maqedoni. Grup krushqish në malet e Rekës së Epërme. Doda NB9020 64 B
Maqedoni. Ardhja e krushqëve në Shtirovicë. Doda NB9020 65 B
Maqedoni. Një shqiptar ditën pas martesës. Doda NB9020 66 B
Maqedoni. Një salepçi shqiptar në Shkup. Doda NB9020 67 B
Maqedoni. Hallvaxhinj shqiptarë në Shkup. Doda NB9020 68|1 B
Maqedoni. Pamja e Vaut. Doda NB9020 68|2 B
Maqedoni. Shtëpia e re në Vau. Doda NB9020 69 B
Maqedoni. Dy të rinj të Shtirovicës duke treguar opingat e tyre. Doda NB9020 70 B
Maqedoni. Në mes: dy burra të Shtirovicës në tirq të zinj;
djathtas: dy myslimanë sllavishtfolësë nga Reka e Poshtme. Doda NB9020 71 B
Maqedoni. Dy muslimanë nga Reka e Epërme.
Majtas një burrë nga Reçi dhe djathtas një burrë nga Shtrazmiri. Doda NB9020 72 B
Maqedoni. Burra të Shtirovicës duke bërë muhabet. Doda NB9020 73 B
Maqedoni. Shqiptar në Rekën e Epërme pranë Dibrës. Doda NB9020 74 B
Maqedoni. Shqiptar i ri në Rekën e Epërme pranë Dibrës. Doda NB9020 75 B
Maqedoni. Bari me gunë, rrethuar nga disa burra të Shtirovicës. Doda NB9020 76 B
Maqedoni. Xhandarmë turq në Rekën e Epërme. jquery image lightboxby VisualLightBox.com v6.1

Më vonë Nopça, së bashku me shërbëtorin e tij të ri, udhëtoi për në vendlindjen e tij, në pronën e prindërve në Saçal afër Hacegut në Transilvani, dhe pas disa muajsh në Londër, ku Bajazidi u sëmurë nga një grip i rëndë. Kah mesi i nëntorit të dy bashkë u nisën nga Shkodra, ku Nopça, në vitet 1907-1910 dhe më vonë pas tetorit 1913 kishte një shtëpi, për në Mirditë dhe Kalis, ku ranë peng të plaçkitësit namkeq Mustafa Lita. Pas lirimit të tyre në Prizren, ata udhëtuan për në Shkup dhe, me gjasë, siç kishin planifikuar më parë, kanë kaluar edhe nëpër Rekën e Epërme. Pastaj ata udhëtuan prapë për në Shkodër, për të studiuar rajonin e fiseve Hoti dhe Gruda.

Edhe në vitet para dhe gjatë Luftërave Ballkanike, Nopça dhe sekretari i tij me shumë temperament udhëtuan nëpër shumë zona e Shqipërisë Veriore, nëpër Kosovë e Maqedoni. Në vjeshtë të vitit 1913, Nopça shkruan:

"Njëherë, kur Nikollë Gega dhe Bajazidi ishin ndezur kundër njëri-tjetrit në një inat të atypëratyshëm, duke rrokur secili nga një revole për të vrarë tjetrin, në mes u hynë Gjok Prenga dhe Mehmed Zeneli për t'i ndarë, ndërsa mua pastaj më shkoi përdore që gjithë atë çështje ta pajtoja krejtësisht pa dëmtuar njeri, madje, pas një copë kohe, arrita t'i pajtoj të dy. Shumë evropianë habiten se si unë arrija t'i mbaja bashkë gjithë ato karaktere të ndryshme, të cilat veç kësaj si të gjithë shqiptarë janë edhe të ngarkuara me një ndjenjë inati dhe xhelozie reciproke. Sapo kisha rregulluar çështjet financiare, u nisa nga Shkodra për në male. Qëllimi im ishte që së pari të studioja anën jugore të Alpeve Shqiptare, pastaj rajonin që bënte afërsisht në perëndim të Bjeshkëve të Nemuna. Por, për shkak të malaries, u detyrova që pjesën e fundit të programit tim ta anuloja, për të zbritur pastaj përmes pjesës malore, por lehtë të kalueshme, të Kastratit. Në vend timin, Bajazidi u ngjit deri në majën e Veleçikut, në Kunoren e Keneshdolit dhe në disa male të tjera, ku ai ndihmoi në përpilimin e hartës speciale të pjesë veriore të Alpeve duke bërë fotografitë e nevojshme."

Sekretarin e vetë Nopça e mori me vete edhe në luftën e viteve 1915-1916, kur ai po shërbentë me trupat austro- hungareze në Kosovë. Pas luftës ata jetuan kryesisht në Vjenë, ku shkencëtari Nopça botoi studime të rëndësishme si në lëmin e albanologjisë, po ashtu edhe në paleontologji dhe gjeologji, duke fituar respekt të madh shkencor.

Më 25 prill 1933, pas një vuajtjeje të gjatë nga depresionet, Nopça i mori jetën vetes me një plumb në gojë. Pak çaste më herët, ai veç kishte vrarë edhe shërbëtorin e vet besnik dhe bashkëshortin, Bajazid Doda. Në letrën e tij për policinë, Nopça kishte shkruar:

"Shkaku i vetëvrasjes sime është sistemi im nervor i shkallmuar. Arsyeja pse unë e kam vrarë në gjumë, krejt pahetueshëm, edhe shokun tim të moçëm dhe sekretarin tim, Bajazid Elmaz Doda, është se unë nuk mund ta lija atë të sëmurë, të shkretë dhe pa para në këtë botë, sepse ashtu ai do të vuante së tepërmi. Dua të më djegin."

Bazazid Elmaz Doda është autori i dorëshkrimit Albanisches Bauerleben im oberen Rekatal bei Dibra (Makedonien), [Jeta e fshatarëve shqiptarë në Rekën e Epërme pranë Dibrës (Maqedoni)], të ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Dorëshkrimi u përfundua nga autori, atëbotë njëzetegjashtëvjeçar, në Vjenë, në prill të vitit 1914, por nuk u botua. Nga parafjala e autorit del se teksti ishte përkthyer në gjermanisht nga Nopça. Ngaqë teksti në gjermanisht ngjan shumë me shkrimet e tjera etnografike të Nopçës, mund të përfundohet se ky kishte ndikuar shumë në përpilimin e këtij studimi. Kjo bëhet edhe më e qartë në shumë plotësimet dhe shkrimet anësore të dorëshkrimit, ku njihet qartë kaligrafia e Nopçës. Dorëshkrimi origjinal në shqip, nëse një të tillë ka pasur, tani mund të merret si i zhdukur.

Ky studim etnologjik, i botuar në Vjenë në vitin 2007, pas pothuajse një shekulli, përmban një mori të dhënash dhe informatash nga lëmenjtë më të ndryshëm, ndaj mu për këtë arsye do të mund të zgjonte interesim për shumë fusha shkencore dhe të gjente përdorim gjithandej. Tutje, ky do të mund të ishte studimi i parë etnografik i hartuar në gjermanisht nga një autor shqiptar. Doda na tregon: qëllimin e librit të tij:

"Vendlindja ime, Reka e Epërme, në kohën e Turqisë, si pasojë e një politike shkurtpamëse dhe të prirur nga barbaria, është ndarë i tëri nga bota. Gjatë ndodhive të fundit ajo mbeti në sundimin serb, dhe brengos fakti që popullsia shqiptare e këtij rajoni, si pasojë e ndarjes nga bota, mund të zhbëhet tërësisht nga faqja e dheut. Më qëllim që ta luftoj këtë të keqe, t'u ndihmoj bashkëfshatarëve të mi që të ruajnë tërësinë e tyre dhe njëkohësisht që të lë një vepër për të qenë në Shqipëri, unë kam shkruar këtë studim mbi jetën e shqiptarëve në Rekën e Epërme. Ajo çka ka shkruar Spiridon Gopçeviq në librin e tij namkeq mbi Maqedoninë (Maqedonia dhe Serbia e Vjetër, 1889) rreth Rekës është tërësisht e pavërtetë dhe gënjeshtër tendencioze, gjë që është argumentuar nga unë dhe shtegtarë të tjerë.

Unë nuk kam dashur as të bëj një studim etnografik, as ndonjë punim tjetër të ngjashëm e shumë sfidues, por thjesht, trup e këput, të përshkruaj jetën e kësaj pjese të botës, ashtu siç e kam përjetuar ditë për ditë.

Tevona, mu ata që kanë zhbërë shqiptarët e rrethit të Nishit, duket se do bëjnë të njëjtën edhe me bashkëfshatarët e mi. Atëherë, edhe përshkrimet më të thjeshta dhe autentike të jetës së përditshme të njerëzve të mi do të mbeten si një monument i një qenësie të dikurshme dhe njëkohësisht do të jenë një kallëzim kundër asgjësuesve të saj. Përkthimin e dorëshkrimit e ka bërë Dr. Baron Nopça. Ilustrimet janë bërë nga fotografitë vetjake."

Ky studim është një vështrim i rrallë mbi një botë të shkuar për faktin se Shtirovica, dy vjet pas hartimit të këtij studimi, u shkatërrua dhe u bë rrafsh me tokë nga forcat ushtarake bullgare. Popullsia shqiptare e atjeshme u dëbua. Më vonë, shumë prej tyre qenë detyruar të shpërnguleshin në Turqi. Sot, rajoni pothuajse është i pabanuar. Një botë e përftuar.

Në dorëshkrimin e mirëfilltë të Dodës si dhe në versionin e botuar në vitin 2007 gjinden fotografi origjinale të autorit, të bëra rreth vitit 1907, të cilat kemi kënaqësi ti tregojmë këtu për herë të parë. Për lejen e shfrytëzimit të koleksionit fotografik të Dodës jemi mirënjohës Arkivit Pamor të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë (Bildarchiv, Österreichische Nationalbibliothek) në Vjenë ku koleksioni i Dodës ruhet me numrat NB902060B deri NB902076B.

Robert Elsie

 

Shpërndaj në Facebook

 

TOP