Koleksioni i Fotografive të

Maksimilian Lambercit

Italia e Jugut 1913-14

Shqipëri 1916

English | Deutsch Kjo faqe interneti i kushtohet jetës dhe veprës së albanologut Maksimilian Lamberc (1882-1963). Ndër albanologët kryesorë gjermanishtfolës të shekullit të njëzetë, bashkë me austriakun Norbert Jokl (1877-1942) dhe baronin hungarez Franc Nopça (1877-1933), është pa dyshim edhe austriaku Maksimilian Lamberc (1882-1963). Një bursë qeveritare bëri të mundur që shkencëtari i ri të bënte një udhëtim në Itali dhe në Greqi, gjatë të cilit, duke përgjuar bisedimet e peshkatarëve të Atikës dhe të barinjve të Thivis, ai ra në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe. Filologu austriak Maks Lamberc (Maximilian Lambertz) u lind më 27 korrik 1882 në Vjenë ku dhe u rrit. Ai studioi gjuhësinë krahasimtare dhe filologjinë latine dhe greke në Universitetin e Vjenës nga 1900-1905 dhe kreu doktoraturën mbi Die griechischen Sklavennamen (Emrat greke të skllevërve), Vjenë 1907. Një bursë qeveritare bëri të mundur që shkencëtari i ri të bënte një udhëtim në Itali dhe në Greqi, gjatë të cilit, duke përgjuar bisedimet e peshkatarëve të Atikës dhe të barinjve të Thivis, ai ra në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe. Pas kthimit në Vjenë, Lamberci filloi të jepte mësim në shkollë, por pas pak kohe, 1907, shkoi në Mynih për të bashkëpunuar në fjalorin e madh të gjuhës latine Thesaurus Linguae Latinae. Në vitin 1911, u kthye në Vjenë për të vazhduar punë si mësues në një shkollë të mesme. Botimi i tij i parë albanologjik, bashkë me Gjergj Pekmezin (1872-1938), qe një doracak dhe libër leximi i gjuhës shqipe (Lehr- und Lesebuch des Albanischen), Vjenë 1913. Në vitet 1913 dhe 1914, ai udhëtoi për disa javë në Italinë e Jugut për të mësuar të folmet arbëreshe. U përqëndrua kryesisht mbi të folmet më pak të njohur të Abruceve dhe të Molizes, në veçanti mbi të folmen e Badhesës (italisht Villa Badessa). Në maj dhe qershor të vitit 1916, Maks Lamberc udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike. Gjatë këtij udhëtimi ai kaloi në Grudë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, në luginën e Kirit, Shosh, Shalë, në luginat e Drinit dhe të Valbonës, dhe në veçanti në Mirditë ku qëndroi shumë kohë duke studiuar dialektin dhe duke mbledhur material folklorik. Në dhjetor të vitit 1916 u kthye përsëri në Shqipëri, kësaj radhe me trupat austro-hungareze të cilët kishin pushtuar zona të gjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, dhe u ngarkuar me mbikëqyrjen e shkollave në zonën austro-hungareze. Ishte gjithashtu anëtar i Komisisë Letrare Shqype të ngritur nga autoritetet austro-hungareze për të vendosur një normë letrare dhe një drejtshkrim standard për gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të Shkodër, ai bashkëpunoi më Gjergj Fishtën në redaksinë e gazetës së përdyjavshme Posta e Shqypnies (1916-1918), në të cilën botoi disa artikuj. Materiali i tij folklorik u paraqit gjermanisht për herë të parë në vëllimin Volkspoesie der Albaner: eine einführende Studie (Poezia popullore e shqiptarëve: një studim hyrës), Sarajevë 1917. Lamberci u kthye në Austri pas Luftës së Parë Botërore dhe punoi mësues shkolle deri në vitin 1934. Gjatë asaj kohe ai vazhdoi të shkruante libra dhe artikuj për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht të folklorit. Në vitin 1934, pas ardhjes në pushtet të regjimit të Dollfuss-it në Austri, Lamberci, që prej 1910 anëtar i Partisë Socialdemokratike të Austrisë, u përjashtua nga puna. Në moshën 53, me banim në Vjenë, në rrugën Metternichgasse 7/II/10, ai iu kthye studimeve universitare për teologjinë protestante, por disertacioni i tij u hodh poshtë nga fakulteti për arsye racore - nëna e tij kishte qenë me prejardhje hebrej. Në vitin 1939, Lamberci u kthye në Mynih për të vazhduar punë me fjalorin latin, dhe mbeti aty deri në vitin 1942. Në 1943 shkoi në Lajpcig ku dha mësim në frengjisht dhe italisht dhe ku bashkëpunoi në enciklopedinë e njohur të botës antike Realenzyklopädie der Altertumswissenschaften të Pauly-Wissowa-it. Në qershor të vitit 1945, pasi u bë anëtar i partisë komuniste, u emërua drejtor i Shkollës së Lajpcigut për Gjuhë të Huaja dhe, në tetor 1946, u bë profesor i gjuhësisë krahasimtare dhe, deri në vitin 1949 dekan i Fakultetit të Pedagogjisë së Universitetit Karl Marks të Lajpcigut. U bë gjithashtu drejtor i Institutit të Studimeve Indoevropiane deri në vitin 1957 kur doli në pension. Lamberci e vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në 1957 dhe, edhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe Paktit të Varshavës, ai refuzoi të shkëpuste lidhjet me Shqipërinë dhe mori pjesë në disa pritje të ambasadës shqiptare në Berlinin lindor. Gjatë kohës kur punoi profesor në Lajpcig, Lamberci jetoi me gruan e tij austriake, Jozefa, në një vilë në lagjen Markkleeberg. Martesa nuk ishte e lumtur dhe çifti nuk pati fëmijë. Aty profesori vdiq më 26 gusht 1963. U varros në varrezat Wien-Döbling në qytetin e lindjes, Vjenë. Megjithëse Maks Lamberci nga shkollimi ishte specialist për gjuhën latine dhe greke, dhe më vonë teolog, pasioni i tij kryesor ishte dhe mbeti gjuha shqipe. Tani ai konsiderohet albanologu më i shquar gjermanishtfolës i shekullit të njëzetë i cili ka lënë një listë të gjatë botimesh me rëndësi parësore: Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde (Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit shqiptar), Vjenë 1922; Zwischen Drin und Vojusa: Märchen aus Albanien (Midis Drinit dhe Vjosës: Përralla nga Shqipëria), Lajpcig 1922; Albanisches Lesebuch mit Einführung in die albanische Sprache (Libër leximi në shqip me një hyrje për gjuhen shqipe) në dy vëllime, Lajpcig 1948; Gjergj Fishta und das albanische Heldenepos "Lahuta e Malcís," Laute des Hochlandes: eine Einführung in die albanische Sagenwelt (Gjergj Fishta dhe eposi heroik "Lahuta e Malcís," Hyrje në botën e legjendave shqiptare), Lajpcig 1949; Die geflügelte Schwester und die Dunklen der Erde: albanische Volksmärchen (Motrat fluturake dhe të Errëta të Tokës: përralla shqiptare), Ajzenah 1952; Lehrgang des Albanischen (Kursi i shqipes) në tre vëllime, Berlin 1954-1955, Halle/Saale 1959; Albanien erzählt: ein Einblick in die albanische Literatur (Shqipëria rrëfen: hyrje në letërsinë shqiptare), Berlin 1956; dhe Die Volksepik der Albaner (Eposi popullor i shqiptarëve), Halle 1958. I pabotuar mbeti dorëshkrimi i tij prej 187 faqesh Das Drama im albanischen Theater von heute (Drama në teatrin shqiptar të sotëm), shkruar në vitin 1963. Robert Elsie Bibliografia të Maksimilian Lambercit
Robert Elsie Fotografia e hershme në Shqipëri
Maks Lamberc në veshje shqiptare, Shkodër, 1916 Fotografi Shqipëri 1916 Fotografi Italia e Jugut 1913-14